
Në Siri thuhet se ka shumë shqiptarë që po luftojnë në anën e forcave kryengritëse. Motivi kryesor është ndihma për sirianët e besimit sunit.
“ Ardhja ime në Siri është me motive fetare. Ka nisur lufta mes sunitëve dhe shiitëve dhe vendosa të shkoj dhe të mbroj idetë e librit të shenjtë Kur'anit, të mbroj fëmijë e gra nga masakrat", pohon një kosovar, i cili është në Siri, në një vend në të cilin më parë nuk ka qenë kurrë.
“Ajo që po ndodh këtu është gjenocid... Kam ardhur për të vdekur , por kjo nuk është në duart e mia. Kjo është në dorë të Allahut i cili më ka dhuruar vazhdimin e jetës", thotë ai me kusht që të mos i përmendet emri.
“Ndihma e merituar kundër diktatorit”
Idriz Bilibani nga Prizreni është magjistër i shkencave të fesë islame. Ndër ithtarët e vet ai është i njohur si "sheiku".
“Pse është problem, nëse dikush vendos të mbështesë popullin e vuajtur të Sirisë? Ai popull po keqtrajtohet dhe vritet nga diktatori Assad dhe regjimi i tij. Tërë bota është e bindur se ai po bën krime dhe se krimet po shtohet dita-ditës”, pohon Bilibani.
Krejt ndryshe mendon sociologu Ismail Hasani. Ai thotë se nuk ka të dhëna për numrin e kosovarëve që kanë shkuar për të luftuar në Siri, por shton se "kjo është njollë për Kosovën".
"Ne ende nuk kemi shëruar plagët tona nga vrasjet, ende kemi shumë njerëz të zhdukur. Ndërsa tani dikush do të shkojë në Siri dhe të luftojë për interesat e dikujt tjetër, që nuk i përket shoqërisë kosovare", pohon Hasani.
Ai mendon se organet e shtetit të Kosovës duhet të reagojnë dhe të bëjnë publike të gjitha të dhënat për kosovarët që luftojnë në Siri.
"Ministria e Jashtme dhe organet e tjera të Kosovës duhet të ndërmarrin masat e duhura për evitimin e shkuarjes së tyre në Siri.
Duhet të dihet nëse ata janë të paguar për të luftuar, apo janë kriminelë? A janë ata besimtarë apo njerëz të pashpirt?”, pyet Hasani.
S’ka organizime në grup
Mazlum Baraliu, ekspert juridik dhe rektor i Universitetit të Prizrenit, thotë se ideali i lirisë dhe i demokracisë mund të interpretohet në forma të ndryshme.
"Por nëse dikush vepron në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet dhe standardet e të drejtës humanitare, atëherë me këtë punë duhet të merren autoritetitet, respektivisht policia dhe organet juridike", pohon ai.
Në një deklaratë me shkrim për “Deutsche Wellen”, zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi thotë se Ministria e Jashtme po i përcjell me kujdes raportet për pjesëmarrjen e luftëtarëve nga vendet e Ballkanit në Siri.
"Në Kosovë nuk ka grupe të organizuara që kanë shkuar apo po shkojnë në Siri. Ne nuk kemi të dhëna konkrete as për individët që kanë shkuar atje", shkruan Selimi.