Ekskluzive: Unikkatili, përsëri në stadium

Është 15 korriku. Për shumë është një datë e rëndomtë, por për miliona shqiptarë është një datë shumë e rëndësishme. Rikthehen kujtimet e një prej ngjarjeve më të mëdha, koncertit të një prej legjendave të muzikës dhe kulturës shqiptare. Dhe, me kujtimet Telegrafi rikthen po ashtu edhe ndjesinë e këtij koncerti, i cili është konfirmuar se do të ketë shumë shpejtë edhe pjesën e tij të dytë. Unikkatili sërish do të vijë. Jo për vizitë, por për koncertin e tij të dytë. Ashtu si koncertin e parë i cili ishte madhështor në të gjitha aspektet, edhe koncertin e dytë të Unikkatilit do ta organizojë kompania POWOW Entertainment. Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, pronari i kompanisë POWOW Entertainment, Albin Gashi, ka zbuluar lajmin e madh, duke konfirmuar një rikthim të Unikkatilit për adhuruesit shqiptarë. Ai pos tjerash ka folur edhe për prapaskenat dhe suksesin e jashtëzakonshëm të koncertit të organizuar saktësisht një vit më parë, teksa ka premtuar se POWOW do të kalojë nëpër një riformatim që do të ketë për rezultat festivale tjera të mëdha. Pohimet e pronarit të POWOW Entertainment vijnë pikërisht një vit pas koncertit të vitit të kaluar, i cili do të mbahet gjatë në mend nga fansat e Unikkatilit. Tani, shumë prej atyre që nuk kanë arritur të jenë pjesë e këtij koncerti, do ta kenë një mundësi të dytë. Koncerti i 15 korrikut të vitit 2012 nga mbreti i repit shqiptar mblodhi jo më pak se 25 mijë fansa në stadiumin e qytetit të Prishtinës./Telegrafi/