Komuna dhe Qeveria bllokojnë Prishtinën (Foto&Video)

Një ndërtim që po bëhet tek rrethrrotullimi në fund të Veternikut ka bllokuar gjithçka. Një makinë për të hyrë në Prishtinë i duhen hiç më pak se 20 minuta ose edhe më shumë. E kohë e njëjtë duhet edhe për të dalë nga kryeqyteti, nëse merrni rrugë për Shkup apo për Gjilan. I gjithë bllokimi po ndodh tek rrethi i Spitalit. Si duket Komuna e Prishtinës kur ka vendosur të nis punimet, nuk e ka menduar asnjë alternativë tjetër për t’i ik kaosit, përveç që ka hap një korsi në anën e kundërt të rrugës, aty ku deri dje ishte rruga njëanësore e lejuar vetëm për makinat që vinin nga Veterniku për në Prishtinë. E pavarësisht krejt kësaj gjendje, ndihmën e saj në komunikacion nuk po e jep as policia. Përveç makinave të shumta që prisnin rend, të mërkurën aty pranë nuk u pa asnjë pjesëtar i policisë. E kaos i tillë do t’i përcjell qytetarët që i bien kah ai rreth do të vazhdojë edhe për plot 45 ditë të tjera, derisa të përfundojë rrethrrotullimi e të lëshohet për qarkullim. Ndryshe, ky është një projekt i përbashkët i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës. Ky projekt ka nisur në shtator të vitit të kaluar dhe në bazë të parashikimeve të atëhershme duhet të përfundojë në shtator të këtij viti. Por, për shkak të neglizhencës dhe problemeve Ministri-Komunë, nuk duket e afërt dita për inaugurimin e projektit.